Bordi i Mbikëqyrjes Publike (BMP) është një autoritet rregullator i pavarur, me rolin kryesor mbikëqyrjen e profesionit për rritjen e cilësisë së raportimit financiar në vend, në funksion të mbrojtjes së interesit publik. Një raportim financiar me cilësi dhe i besueshëm, do të thotë më shumë siguri për investitorët, aksionerët, sistemin bankar, administratën tatimore, e palë të tjera të interesuara, duke ndikur edhe në rritjen e investimeve të huaja, e me ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e ekonomisë.

Pas vlerësimeve të Bankës Botërore, vlerësimit të bërë në Raportin e Progresit të BE, BMP u zgjodh në datën 26 Qershor 2019 si anëtar i Task Force të Forumit Ndërkombëtar të Rregullatorëve të Pavarur të Auditimit (IFIAR) në të cilin është anëtar me të drejta të plota.

Task Force përbëhet nga: Abu Dhabi, Shqipëria, Kanadaja, Franca, Italia, Irlanda, Japonia, Zelanda e Re, Norvegjia, Arabia Saudite, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilat kanë mbështetjen e Bordit të IFIAR.

Objektivat kryesore të Task Force lidhen me monitorimin e zhvillimeve të rëndësishme brenda juridiksioneve të vendeve anëtare të IFIAR, për të analizuar ndikimin e këtyre zhvillimeve në tregun e auditimit dhe ndikimin e tyre potencial në cilësinë e auditimit.

Një zgjedhje e tillë është një vlerësim për kapacitet e BMP për të realizuar funksionet e veta në mënyrë sa më të suksesshme, jo vetëm brenda vendit dhe por edhe jashtë tij.