Bordi i Mbikëqyrjes Publike, në mbështetje të rekomandimeve të nxjerra nga Komiteti i Bordeve Evropiane të Mbikëqyrjes së Auditimit – KBEMA (CEAOB) por edhe rregullator të tjerë antarë të Forumit Ndërkombëtar të Rregullatorëve të Pavarur (IFIAR), konsideron nevojën për të vënë theksin në fushat e mëposhtme me rëndësi në kushtet e pandemisë Covid-19 në auditimet e pasqyrave financiare.

Pandemia e koronavirusit Covid-19 (Coronavirus) vazhdon të përhapet në shumë vende, përfshirë edhe në Evropë si dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo krizë, përvec implikimeve shëndetësore te njerëzit, ka gjithashtu një ndikim global dhe prek në mënyrë të konsiderueshme njësitë ekonomike dhe audituesit e tyre. Ndërsa audituesit duhet të respektojnë plotësisht standardet e kërkuara, ashtu siç thekson edhe CEAOB, sfidat me të cilat audituesit po përballen për shkak të shkallës së pa precedentë të shpërthimit te pandemisë, mund të kenë një efekt të kundërt në cilësinë e auditimit.

Sa më sipër, më poshtë nënvizohen fushat që kanë një rëndësi të lartë për kryerjen e auditimeve në vazhdim:

 

Marrja e evidencave të mjaftueshme dhe të përshtatshme të auditimit – CEAOB dhe Autoritetet Kombëtare Kompetente (NCA) nënvizojnë se është përgjegjësi e audituesve të marrin evidenca të mjaftueshme dhe të përshtatshme para se të lëshojnë raportin e tyre të auditimit.

Konstatohet se kufizimet në aksesim/qasje dhe në udhëtime, ashtu si dhe disponueshmëria e kufizuar e personelit për shkak të rëndësisë në këto rrethana që i jepet shëndetit, mund të cenojnë aftësinë e audituesit për të marrë evidenca të mjaftueshme të auditimit. Për auditimet e grupit, si partneri i angazhimit për grupin ashtu edhe audituesi i entitetit të kontrolluar, duhet të përshtatin qasjen e tyre të auditimit me rrethanat aktuale. Audituesit këshillohen që të eksplorojnë mjetet alternative, përfshirë teknologjinë, deri në masën që është e mundur. Realizimi i auditimeve me cilësi të lartë në rrethanat aktuale mund të kërkojë kohë shtesë, e cila mund të ndikojë në afatet e raportimit. Si pasojë, audituesit mund të kenë nevojë të shtyjnë lëshimin e raportit të tyre të auditimit, dhe kur kjo nuk është e mundur ose çështja nuk ka gjasa të zgjidhet, audituesve mund t’ju nevojitet të modifikojnë raportin e tyre të auditimit për të reflektuar se ata nuk kanë mundur të sigurojnë evidencat e nevojshme të auditimit.

Parimi i vijimësisë – Audituesit duhet t’i kushtojnë vëmendje të vecantë vlerësimit të bërë nga njësia ekonomike në lidhje me aftësinë e saj për të vazhduar në vijimësi. Në rrethanat aktuale, pasiguria rreth parashikimeve për ekonomitë në të gjithë botën si dhe rritja e pasigurisë në lidhje me perspektivën për shumë njësi ekonomike mund të përbëjnë një sfidë për vlerësimin prej audituesve. Gjithashtu, audituesit duhet të marrin në konsideratë ndikimin e vlerësimit të tyre përsa i përket vlerësimit të bërë nga drejtimi mbi aftësinë e njësisë ekonomike për të vazhduar në vijimësi, në raportin e auditimit dhe në komunikimin me personat e ngarkuar me qeverisjen dhe drejtimin. Mund të ketë gjithashtu raste kur një njësi ekonomike mund të ketë nevojë të aplikojë kontabilitetin e bazuar në likuidim.

Ngjarjet pasuese – Për shumicën e njësive ekonomike kriza u shfaq pas përfundimit të vitit të tyre financiar. Audituesit do të duhet të vlerësojnë nëse shpalosjet e dhëna nga njësia ekonomike mbi ndikimin, si në mënyrë cilësore ashtu dhe sasiore, e shpërthimit të pandemisë Covid-19 në aktivitetet e saj, situatën financiare dhe performancën e ardhshme ekonomike janë të përshtatshme në funksion të kuadrit në fuqi të raportimit financiar, dhe mund të duhet të përfshijnë një paragraf për tërheqje vëmendje lidhur me çështjen në raportin e tyre të auditimit. Kur nuk është ky rast, audituesit mund të kenë nevojë të modifikojnë raportet e tyre të auditimit në përputhje me rrethanat.

Raportimi dhe Komunikimi – Audituesve u kujtohet që t’i kushtojnë vëmendjen e duhur vlerësimit nëse përshkrimi i pozicionit financiar të njësisë ekonomike, rreziqet kryesore dhe pasiguritë me të cilat ajo përballet dhe zhvillimi i mundshëm i saj në të ardhmen është në përputhje me njohuritë që ata kanë marrë si pjesë e punës së tyre të auditimit. Audituesve u kujtohet që është e rëndësishme që ata të komunikojnë në kohën dhe mënyrën e duhur me drejtimin dhe personat e ngarkuar me udhëheqjen e njësisë ekonomike në lidhje me ndikimin e shpërthimit të pandemisë së Covid-19 në punën e tyre të auditimit, si dhe mbi njësinë ekonomike dhe pasqyrat financiare të saj. Kur është e përshtatshme, audituesit mund të vendosin të përfshijnë një çështje kryesore të auditimit në raportin e tyre të auditimit. Atyre u kujtohet gjithashtu se standardet e zbatueshme, Rregullorja e Auditimit ((BE) Nr. 537/2014 e Parlamentit Evropian dhe Këshillit e 16 Prillit 2014), ose kërkesat lokale mund të kërkojnë që ata t’i raportojnë këto çështje tek autoritetet përkatëse ose organe të tjera jashtë njësisë ekonomike.

Të gjithë rregullatorët, përfshirë anëtarët e Forumit Ndërkombëtar të Rregullatorëve të Pavarur (IFIAR), CEAOB por edhe Bordi i Mbikëqyrjes Publike si antarë i task forcës për zhvillimet e rëndësishme ndërkombëtare në tregjet e auditimit (IRDAM), janë duke monitoruar implikimet që mund të sjellë përhapja e kësaj pandemie.

Bordi i Mbikëqyrjes Publike do të publikojë më poshtë edhe disa materiale dhe praktika të ngjashme të ndjekura apo rekomanduara edhe nga rregullator të tjerë apo organizma të fushës, për të mbështetur me instruksionet e nevojshme në mbështetje të zbatimit të standardeve profesionale.