Bordi i Mbikëqyrjes Publike, me statusin e një autoriteti rregullator të pavarur, u krijua për të realizuar mbikëqyrjen publike dhe për të siguruar që audituesit ligjorë dhe shoqëritë e auditimit janë subjekt i një sistemi që jep siguri për cilësinë. Mbikëqyrja e profesionit të audituesve ligjorë dhe shoqërive audituese realizohet nga bordi i mbikëqyrjes publike, si drejtpërdrejt, duke mbikëqyrur të gjithë audituesit ligjorë dhe shoqëritë audituese, ashtu edhe përmes mbikëqyrjes së veprimtarisë së organizatës profesionale të audituesve ligjorë.
Qëllimi i sistemit të mbikëqyrjes publike të audituesve ligjorë dhe të shoqërive audituese është të rrisë sigurinë, që auditimet ligjore kryhen në një mjedis transparent, të kontrolluar dhe të kujdesshëm e në shërbim të interesit publik.
Përgjegjësitë
- Harton rregullat e funksionimit të Komisionit të Provimeve të Aftësisë Profesionale dhe të Komitetit të Regjistrimit të audituesve ligjorë dhe shoqërive audituese, të cilat i paraqiten për miratim autoriteteve të parashikuara në këtë ligj
- Mbikëqyr, monitoron dhe vlerëson zbatimin e procedurave të testimit dhe regjistrimit të audituesve ligjorë dhe të shoqërive audituese.
- Miraton formatin e regjistrit publik të audituesve ligjorë dhe të shoqërive audituese, të regjistruara nga Komiteti i Regjistrimit, si dhe mbikëqyr respektimin e rregullave, në lidhje me numrin e identifikimit të audituesve ligjorë në regjistër.
- Miraton kodin e etikës të audituesve ligjorë e të shoqërive audituese, të përgatitur dhe të propozuar nga organizata profesionale e audituesve ligjorë dhe mbikëqyr zbatimin e standardeve të këtij kodi.
- Mbikëqyr kontrollin e cilësisë, që realizohet nga organizata profesionale e audituesve ligjorë.
- Mbikëqyr programet dhe kualifikimin e vazhdueshëm profesional të audituesve ligjorë.
- Miraton rregulloret e investigimit dhe të procedurave për marrjen e masave disiplinore.
- Kur e gjykon të nevojshme, kryen investigime shtesë për audituesit ligjorë dhe shoqëritë audituese.
- Shqyrton dhe merr vendim për ankesat e bëra nga kandidatët, në lidhje me regjistrimin e tyre;
- Miraton dhe publikon programet vjetore të punës dhe raportet e veprimtarive të tij;
- Shqyrton dhe merr vendim për rastet e shkeljeve disiplinore, që janë kompetencë e tij;
- Shqyrton dhe merr vendim për aspekte apo çështje të tjera, të parashikuara në këtë ligj, që janë brenda objektit të veprimtarisë së tij.
- Bordi miraton statutet e organizatave profesionale në fushën e kontabilitetit dhe mbikëqyr organizimin dhe funksionimin e tyre.